Si një rrufe në qiell të hapur ka mbërritur lajmi më i fundit nga kampi kuqezi i Milanit.
“Rossonerët” kanë qenë vetëm një hap larg blerjes së yllit portugez, Kristiano Ronaldo, i cili që pas finales së madhe të Ligës së Kampionëve kishte deklaruar se kërkon sfida të reja.
Pikërisht për këtë arsye, sikurse raportohet nga mediat italiane, Milani bëri një tentativë për të bindur CR7 që të vishet kuqezi. Por, ndërhyrja e Marotas dhe Paraticit ndryshoi gjithçka, me asin portugez që zgjodhi të transferohet te skuadra kampione e Juventusit.
Ideja i kishte lindur pronarëve dhe drejtuesve të mëparshëm, të cilët kishin marrëdhënie të mira me menaxherin e CR7, Zhorge Mendesh, që mendoi të sillte portugezin në Milano.
Të gjendej fuqia ekonomike për të realizuar këtë transferim nuk do të kishte qenë aspak një mision i pamundur për “kuqezinjtë”, me Real Madridin që do të kishte favorizuar Milanin.
Por mungesa në Ligën e Kampionëve dhe interesimi i “Zonjës së Vjetër” kishte bllokuar më pas tratativat mes Milanit dhe Kristiano Ronaldos, i cili përfundoi te Juve, me të cilën skuadër fundjavën që lamë pas bëri edhe debutimin në ndeshjen ndaj Kievos.