Të hënën në mbrëmje janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së parë në La Liga, ku vlen të veçohet derbi ndeshja midis Valencias dhe Atletiko Madridit, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja e zhvilluar në “Mestalja” u mbyll me barazimin 1:1, me mysafirët të cilët avansuan të parët në këtë ndeshje falë golit të shënuar nga argjentinasi Anhel Korea në minutën e 23-të.
Valencia barazimin e arriti gjatë pjesës së dytë, më saktësisht në minutën e 56-të me anë të Rodrigos, një super talent ky që po kërkohet me ngulm edhe nga gjigandët e Realit të Madridit.
Për dallim nga kjo ndeshje që u mbyll me barazim, në ndeshjen tjetër të zhvilluar në “San Mamesh” pati fitues, edhe atë me një gol të shënuar nga ana e vendasve në minutën e tretë të kohës shtesë. Muniain shënoi golin e fitores për Atletik Bilbaon, që mundi Leganesin me rezultatin 2:1. Pas këtij goli nuk pati edhe shumë kohë që mysafirët të kundërpërgjigjen, ashtu që në fund fitorja u takoi baskëve, të cilët në këtë mënyrë e nisën me këmbë të mbarë sezonin e ri futbollistik në La Liga.
Ndryshe golin e parë për Bilbaon në këtë ndeshje e realizoi Nolaskoain në minutën e 27-të, teksa për Leganesin autorë i golit ishte Xhonatan Silva në minutën e 33-të.