Komisioni i Garave i “IPKO Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës në përbërje: Ismet Ahmeti, Isuf Ajeti dhe Abdyl Bellopoja, në mbledhjen e mbajtur më datën 20.08.2018, lidhur me ndeshjen KF “Prishtina” – KF “Gjilani”, bazuar në informacionin e KF ‘Prishtina’ dhe zyrtarëve të Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport, në pajtueshmëri me nenin 58 të Propozicioneve të Garave dhe nenit 67 të Rregullores së Garave, nxori këtë vendim:
“1. Ndeshja e javës së parë e IPKO Superligës së Kosovës ndërmjet KF “Prishtina” – KF “Gjilani” e përcaktuar për t’u zhvilluar më datë 20.08.2018 në orën 19:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, SHTYHET shkaku i mospranimit teknik të stadiumit nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
ARSYETIM
Komisioni i Garave ka përcaktuar orarin e zhvillimit të ndeshjeve të javës së parë të IPKO Superligës së Kosovës, ku ndeshja KF “Prishtina” – KF “Gjilani” është përcaktuar të zhvillohet më datë 20.08.2018 në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 19:45 nga kompania “Digitalb” që i ka të drejtat televizive të IPKO Superligës.
Komisioni i Garave gjatë regjistrimit të ndeshjeve të javës së parë u informua nga KF “Prishtina” dhe MKRS se kjo ndeshje nuk mund të zhvillohet me arsyetimin se stadiumi “Fadil Vokrri” nuk është pranuar teknikisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Për terminin e ri të zhvillimit të kësaj ndeshjeje Komisioni i Garave do t’i njoftojë të dy klubet dhe opinionin me kohë.
Nga theksimet e lartpërmendura u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.
KËSHILLË JURIDIKË: Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afatin prej 8 (tetë) ditëve, nga dita e pranimit të vendimit, Organit të shkallës së dytë (Komisionit për ankesa, sipas procedurës së paraparë më Propozicione e Rregullore të FFK-së). Publikimi bëhet në faqen zyrtare të FFK-së, dt. 20.08.2018″.