Skuadra italiane e Torinos ka ndërprerë kontratën me mbrojtësin shqiptar, Arlind Ajeti. Lajmi bëhet publik nga “toroneës.net”, që konfirmoi se futbollisti “kuqezi” do të jetë i lirë. Ajeti kishte kontratë me torinezët, deri në vitin 2019, por ai nuk ishte në planet e drejtuesve, ndaj ata vendosën ta lënë të lirë.
Mbrojtësi shqiptar luajti vetëm 4 ndeshje me Torinon në sezonin 2016-2017 ku shënoi edhe një gol. Në sezonin e kaluar 24-vjeçari u huazua te Krotone, skuadër kjo që në fund humbi statusin e skuadrës elitare.
Për shërbimet e Ajetit interesohej sërish Krotone, që dëshironte të blente kartonin e futbollistit shqiptarë, ndërsa gjithashtu edhe Legia e Varshavës dhe Peruxha. Mirëpo që të gjitha këto tratativa nuk u realizuan, Ajeti me shumë gjasa do të rikthehet në Zvicër, aty ku edhe fitoi emër.