Vardari vetëm brenda 8 ditëve sërish do të luaj në Tetovë, kësaj rradhe ndaj Renovës së Jeton Beqirit, njofton “infOSport.mk”.
Të shtunën e kaluar nënkampionët e vendit luajtën ndaj Shkëndijës, ku në fund nxorrën një barazim 2:2, ndërsa edhe sot shpresojnë të dalin të pamposhtur nga stadiumi i qytetit në Tetovë. Megjithatë “bardhekaltërit” nga Xhepçishti janë të motivuar tepër për këtë përballje, në të cilën do të kërkojnë që të ndërpresin serinë prej 13 ndeshjeve pa fitore ndaj Vardarit.
Renova gati 4 vite nuk dinë për fitore ndaj “kuqezinjëve” shkupjan. Ata fitoren e fundit ndaj Vardarit, e kishin arritur me 22 nëntor të vitit 2014-të, kur në Tetovë kishin triumfuar me rezultatin 3:0 falë dopietës së Izair Eminit, aktualisht futbollistit të Shkëndijës dhe një goli të shënuar nga pika e bardhë e Agron Memedit, që tashmë është pjesë e stafit teknik të Renovës.
Po atë vit Renova, me datë 6 dhjetor kishte mundur edhe njëherë tjetër Vardarin, mirëpo kësaj rradhe në kuadër të Kupës së Maqedonisë me rezultatin 2:0, kur edhe e kishte eliminuar skuadrën shkupjane në kuadër të ndeshjeve çerekfinale.
Ndërkohë sa i përket serisë prej 13 ndeshjeve pa humbje në ndeshjet kampionale, Vardari përballë Renovës numëron 10 fitore dhe 3 barazime, përfshirë edhe barazimin e fundit 1:1 të edicionit të kauar.