Paris Sen Zhermeni sezonin e ri në kampionatin francez e nisi me këmbë të mbarë, pasi mundi në transfertë ekipin e Gingamp. Kampionët në fuqi të Francës shënuan fitore me rezultatin 3:1, ndërsa protagonistë doli të jetë dyshja Nejmar-Mbape. Ky i fundit shënoi dy gola, ndërsa një gol realizoi Nejmar, të cilin ylli i talentuar francez e lëvdëroi tej mase për performancën e bërë në këtë ndeshje.
“Nejmari është një super yll, më shumë se unë. Ai ka punuar shumë në Barcelonë për ta arritur këtë. Ai shënoi një gol dhe e bëri një asist, kjo nuk është aspak keq. Unë tentoj të jap atë që mundem për të ndihmuar skuadrën të fitojë. Ne fituam, e pastaj festuam. Por, futbolli vazhdon, karriera ime ka filluar. Kam synime të larta me PSZH-në, me Kombëtaren e Francës dhe në nivelin individual”, ka thënë Mbape.