Eden Hazard është përfolur për një largim nga Çelzi në drejtim të Real Madridit gjatë kësaj vere, mirëpo ai ka vendosur qëndrimin në “Stemford Brixh” duke thënë se është i lumtur me skuadrën angleze, që pas dy xhirove të para të sezonit të ri ka arritur po aq fitore.
Belgu, i cili i ka edhe dy vite në kontratën e tij, ka thënë se synon qëndrimin te Çelzi për stinorin e ardhshëm, mirëpo duke mos premtuar më gjatë.
“Të gjithë e dinë se çfarë kam thënë pas Kupës së Botës. Por unë jam i lumtur këtu. Shumë gjëra janë folur, por për momentin jam i lumtur. Kam edhe dy vite kontratë dhe do e shohim se çfarë do të ndodhë. Largimi në këtë vit? Jo nuk do të largohem” ka thënë 27-vjeçari.
“Afati kalimtar i transferimeve në Angli është mbyllur. Klubet ende mund të shesin lojtarët e tyre, por nuk mund të transferojnë. Do të ishte e çuditshme nëse klubi do të më shiste tani duke e ditur që nuk mund të më zëvendësojnë. Le të shohim se çfarë do të ndodhë në dy vitet e ardhshme” – është shprehur Hazard, i cili në ndeshjen e fundit derbi kundër Arsenalit, të cilën Çelzi i tij e kishte fituar me rezultat 3:2, në lojë ishte inkuadruar nga bankina.