Skuadra kampione e Spanjës, Barcelona mundi Alavesin 3:0 në ndeshjen e javës së parë në La Liga që u zhvillua në “Kamp Nou”. Të tre golat skuadra “katalunase” i realizoi gjatë pjesës së dytë, me heroin Messi që realizoi “dopietë”.
Ylli argjentinas në minutën e 63-të realizoi një gol me mjaft mençuri, teksa po ekzekutonte një goditje dënimi, të cilën e kishte përfituar vetë.
Kur të gjithë prisnin që Messi me goditjen e tij të parakalojë murin e gjallë, ai vendosi të gjuaj për tokë, duke gjetur në këtë mënyrë mjaft hapësirë dhe këndin e poshtëm të portierit kundërshtarë.
Ky gol i shënuar nga Messi, ishte goli №6000 për “katalunasit” në ndeshjet e La Ligas. Messi golin e dytë personal dhe të tretin për Barcelonën e realizoi në minutën e 93-të, teksa në dy raste kishte qëlluar shtyllën.
Një gol tjetër për Barçën në këtë përballje kishte realizuar, rezervisti Kutinjo në minutën e 83-të.
Pas kësaj fitore “katalunasit” u ngjitën në krye të renditjes bashkë edhe me Levanten e Enis Bardhit, që të premten në transfertë me rezultatin identik 3:0 kishte mundur Betisin.