Infarkt fitore e Juves në debutimin e Ronaldos (VIDEO)

Infarkt fitore për Juventusin në startin e sezonit të ri në “Serie A”. Skuadra kampione e Italisë mundi Kievon në debutimin e Kristiano Ronaldos me rezultatin 3:2, falë një goli të shënuar në minutën e tretë shtesë të takimit nga ana e Bernardeskit, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo një super ndeshje me shumë kthesa, ku të parët që iu gëzuan golit ishin futbollistët “bardhezi”, kur me anë të Khediras që në minutën e 3-të kaluan në epërsi. Dhe kur mendohej se Juve tashmë do të “shkel” kundërshtarin, një gjë e tillë nuk ndodhi, por përkundrazi Kievo u rikthye në lojë madje duke shënuar dy gola në rrjetën e torinezëve.

Fillimisht Stepinski në minutën e 38-të barazoi shifrat në 1:1, teksa në minutën e 56-të Xhakerini për herë të parë në këtë ndeshje solli në epërsi skuadrën e tij. Një autogol i Matia Bani në minutën e 77-të, i siguroi  barazimin Juves në ato momente, që më pas në minutat shtesë të takimit, Bernardeski të shfrytëzojë harkimin e Aleks Sandros për tokë në zonën kundërshtare dhe nga afërsia të shënojë golin e fitores për Juventusin.

Kristiano Ronaldo në këtë ndeshje pati shumë raste shënimi, mirëpo duke mos arritur të shfrytëzojë asnjërën prej tyre, me ç’rast golin debutues duhet ta kërkojë në ndeshjet e rradhës.

Leave a Reply