Edhe pse në moshën 37-vjeçare, Xhon Teri nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga fushat e futbollit. Ai është gati për një përvojë të re, edhe atë për herë të parë jashtë Anglisë.
E përditshmja portugeze, “A Bola” bën me dije se ish-kapiteni i Anglisë dhe Çelzit është shumë pranë marrëveshjes me Sportingun, që po kalon një moment delikat, pas largimit të presidentit.
Zgjedhjet e reja për presidentin bëhen më 8 shtator dhe Terri, aktualisht me pushime me familjen në Algarve, ka një akord me Madeira Rodrigues, kandidatin kryesor për president të Sportingut. Rodrigues ka një akord edhe me Klaudio Ranierin për postin e trajnerit, nëse fiton zgjedhjet.
Nëse realisht do të ndodhte një gjë e tillë, atëherë Ranieri dhe Terri do të ribashkoheshin sërish pas plotë 14 viteve, kur për herë të fundit bashkë për katër vite të plota (2000-2004) ishin pjesë e Çelzit. Ishte pikërisht strategu italian që kishte vlerësuar Xhon Terin, të cilin skuadra nga “Stemford Brixh” e kishte blerë nga Uest Hami në vitin 1998, për ta huazuar më pas te Notingham Foresti.
Ranieri kishte vërejtur shumë shpejtë talentin e Xhon Terit, të cilit i kishte dhënë mundësinë për të treguar cilësitë, dhe nuk kishte gabuar, pasi ai luajti për 18 sezone të plota me “blutë” e Londrës, para se vitin e kaluar ti bashkohet Aston Villas.