Largimi i yjeve nga kampionati spanjoll ka shqetësuar edhe vetë presidentin e La Liga-s, Havier Tebas, i cili në një konferencë për shtyp, ka sulmuar ashpër klubet italiane, me në krye Interin, por edhe francezët e PSZH-së dhe anglezët e Mançester Sitit.
Verën e kaluar ishte Nejmar që u transferua në Francë, ndërsa këtë verë Kristiano Ronaldo iu bashkua Juventusit dhe Luka Modriç kërkoi me ngulm largimin drejt Interit.
“Shumë yje po largohen nga La Liga dhe pyetja që ngrenë të gjithë, është “pse po ndodh kjo?”. Ekzistojnë disa klube-shtet, që janë duke shkaktuar inflacion në merkato, duke blerë lojtarë për shuma marramendëse. Në disa skuadra ndodhin gjëra që nuk duhet të ndodhnin dhe këtu i referohem shifrës së shpenzuar nga PSZH-ja për brazilianin Nejmar dhe asaj të shpenzuar nga Juventusi për Ronaldon. Gjithashtu më habiti edhe Interi, që nuk ka para, por që ishte gati të joshte Modriçin me paga që nuk dihet se nga do vinin. PSZH dhe Mançester Siti, por ndoshta edhe Interi, janë klube që funksionojnë me mashtrime dhe tifozët e La Ligës duhet ta dinë këtë”,deklaroi Tebas.