Numri një i Struga Trim Lum, Arbtrim Qyra flet për ndeshjen me Goblenin dhe sezonin e ri

Prej nesër edhe zyrtarisht hap siparin sezoni i ri futbollistik në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”.

Ky edicion pritet të jetë shumë më interesant bazuar në merkaton e bërë nga ana e skuadrave pjesëmarrëese, në mesin e të cilave do të ketë edhe dy debutues, Genç Kalemler nga Gostivari dhe Goblen Junior nga Kumanova.

Pikërisht këta të fundit nesër në stadiumin e Bashkimit në Kumanovë, do të jenë nikoqir të Struga Trim Lum, që në anën tjetër zhvillon sezonin e dytë në këtë ligë, e ku ambiciet e tyre janë shumë më lartë se edicioni i kaluar, kur u renditën në pozitën e katërt.

FC Struga Trim Lum fillon nesër kampionatin e dytë me radhe në ligën e dytë të Maqedonise. Vitin e kaluar zhvilluam nje kampionat solid dhe luftuam deri në fund për pozitat e para. Këtë sezon jemi edhe më të etur për suksese më të mëdha, jemi munduar gjatë merkatos të krijojmë një ekip më të fortë dhe padyshim që pritshmëritë tona janë edhe më të mëdha” – tha enkas për “infOSport.mk” presidenti i Struga Trim Lum, Arbtrim Qyra.

Numri një i skuadrës strugane foli edhe për ndeshjen e parë që Struga Trim Lum do ta zhvillojë kundër Goblen Junior në Kumanovë.

Ndeshjen e parë do ta zhvillojmë në Kumanovë kundër ekipit të FC Goblen, për të cilën kemi respekt maksimal, duke e ditur që ata janë një ekip shumë i mirë, shumë i motivuar dhe duan ta fillojnë me sukses sezonin e tyre të parë në këtë ligë. Shpresoj që nesër djemtë tanë të zhvillojnë një ndeshje të mirë dhe të marrin një rezultat pozitiv nga Kumanova” – përfundoi Qyra.

Me sponzorin Trim Lum në krye skuadra e FC Strugës për çdo vit ka shënuar progres, duke kaluar për çdo vit nga një rang garash, duke filluar nga ligat më të ulëta. Ecja e tyre pozitive u ndal sezonin e kaluar, kur nuk arritën që në sezonin e tyre të parë në Ligën e Dytë të ngjiten në mesin e më të mirëve, mirëpo një gjë të tillë ata shpresojnë ta bëjnë këtë vit.

Leave a Reply