Vendimi që një ndeshje e kampionatit spanjoll të luhet në Amerikën e Veriut nuk është pritur mirë nga Shoqata e Futbollistëve në Spanjë.
La Liga arriti një akord me grupin amerikan Relevant për të çuar në një tjetër nivel, zhvillimin dhe përhapjen e futbollit të këtij vendi në Amerikën e veriut.
Thënë ndryshe, një ndeshje e La Ligës me të gjitha gjasat Real Madrid ose Barcelona, do të zhvillohet në SHBA ose në Kanada, çdo sezon në 15 vitet e ardhshme. Krijohet kështu “La Liga North America”, një projekt që u testua me mbushjen e stadiumeve në turneun e kësaj vere.
Mjafton të kujtojmë se një ndeshje e Mançester Junajtedit në Miçigan, u ndoq nga 101 mijë tifoz në stadium.
Por vendimi i Federatës spanjolle për të luajtur të paktën një ndeshje të La Ligas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 15 sezonet e ardhshme ka shkaktuar shumë polemika.
Shoqata e futbollistëve spanjollë ka dalë kundër projektit që sipas saj bëhet për interesa financiare, duke anashkaluar të drejtat themelore të futbollistëve.