Interi jo vetëm që nuk do të arrijë ta ketë pjesë të organikës së saj mesfushorin kroat, Luka Modriç, por duhet të përballet edhe me pasojat e kontakteve me lojtarin pa lajmëruar Realin e Madridit.
Presidenti Florentino Perez, përtej marrëdhënieve të mira mes dy klubeve, nuk e ka kapërdirë faktin që lajmet e fundit rreth të ardhmes së 32-vjeçarit e kanë trazuar ambientin “mbretëror” .
Për këtë arsye, “Cadena Ser” në Spanjë njofton se numri një i klubit mbretëror do ta padisë Interin për thyerje të rregullave, sepse ka nisur bisedime me një futbollist që ka kontratë edhe për disa vite, pa lajmëruar drejtuesit e Realit.
Për t’ua vënë vulën një herë e mirë zërave të merkatos, vetëm pak orë para se të skadojë afati i blerjes së futbollistëve në Serinë A ka menduar vetë Modriç me një postim në Instagram pas humbjes në Superkupën e Europës me Atleticko Madridin:
“Një humbje e rëndë, por nuk është një humbje që përcakton skuadrën tonë. Është momenti për t’u ringritur dhe për të vazhduar punën sikurse kemi bërë gjithmonë. Hala Madrid!”