Mesfushori difenziv, Bojan Najdenov karrierën e tij e ka vazhduar në Superligën e Shqipërisë te skuadra e Laçit. Lajmin për “infOSport.mk” e konfirmoi vetë futbollisti maqedonas, i cili në momentet deri sa e kontaktuam, po kthehej nga Shqipëria.
Ai me Laçin ka nënshkruar kontratë një vjeçare, duke shpresuar se do e ndihmojë këtë skuadër në arritjen e objektivave gjatë sezonit të ri, një vend për në garat europiane.
“Kam arritur marrëveshje një vjeçare. Jam shumë i kënaqur nga kushtet e ofruara. Edhe pse kishte edhe disa skuadra tjera nga Superliga shqiptare që isha në kontakte, drejtuesit e Laçit ishin më konkret dhe më serioz, ndaj në fund shumë shpejtë arritëm edhe marrëveshjen në fjalë” – tha enkas për “infOSport.mk”, Bojan Najdenov.
26-vjeçari Najdenov së fundmi ishte pjesë e skuadrës iraniane të Esteghlal FC, mirëpo për shkak se këta të fundit nuk i kishin paguar disa paga, ai kishte vendosur që të largohet nga kjo skuadër, të cilën e ka paditur në FIFA. Ai është në pritje të epilogut dhe përgjigjes nga Shtëpia e Futbollit Botëror, ku pret të fitojë çështjen dhe të marrë dokumentacionin e duhur, për tu regjistruar si futbollistë i ri i Laçit.
Ndryshe karrierën e tij Najdenov e kishte nisur në vendlindje te skuadra e Horizont Turnovës, për të kaluar më pas te Kozhuvi, ndërsa në Maqedoni, gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e Rabotniçkit, nga e cila skuadër verën e vitit 2017-të u transferua te skuadra egjiptiane e Smouha. Te këta të fundit qëndroi për 6 muaj, ndërsa shkurtin e këtij viti vendosi të provoj veten në futbollin iranian, nga i cili tashmë do të kërkoj një sfidë të re në Superligën shqiptare.