Të kesh rolin e një strategu të ekipit sigurisht se nuk është e lehtë, e sidomos në skuadra kur rikthehen nga një periudhë e vështirë. Shembulli i fundit vjen nga futbolli vendor, me rolin kryesor Jeton Beqiri. Ky i fundit pas disa eksperiancave në vend, por edhe në Superligën e Shqipërisë, këtë verë iu rikthye kampionatit vendor, duke marrë drejtimin e skuadrës së Renovës.
Efekti i tij u vërejt që nga ndeshja e parë e zhvilluar në LPFM. Xhepçistasit kishin harruar të fitonin në transfertë gjatë kampionatit, madje për të treguar statistikat, duken mjaftë të dhimbshme, por nuk mund t’i ikësh realitetit. Renova gjatë një sezoni të plotë (2017/18) nuk kishte triumfuar në një ndeshje si mysafir, që do të thotë 36 xhiro në total, 18-të prej tyre pa shijuar fitoren, kur luanin jashtë Tetovës.
Por, në këtë fillim sezoni është më ndryshe. Renova e udhëhequr nga Jeton Beqiri, triumfoi në ndeshjen e parë si mysafir me rezultat 3:4 ndaj një kundërshtari të fortë si Rabotniçki, duke dhënë një sinjal, që ky vit nuk do të jetë si ai i kaluari.
Kujtojmë se Beqiri, ishte i pari që firmosi me skuadrën tetovare, ndërsa gjatë merkatos kompletoi ekipin edhe me disa përforcime. Fillimi duket i mbarë me 3 pikë në konto, ndërsa pjesa tjetër mbetet të shihet gjatë kampionatit në vijim./InfOSport.mk