Mbrojtësi uruguaian, Diego Godin edhe përkundër faktit se kërkohej nga shumë skuadra të mëdha europiane, ai do të vazhdojë të jetë pjesë e Atletiko Madridit.
Godin ka pranuar të vazhdojë kontratën edhe për dy vite të tjera me skuadrën nga kryeqendra spanjolle, që do ta lidhë atë me klubin deri në vitin 2021.
Kontrata e tij aktuale ishte valide deri në vitin 2019 me një klauzolë prej 20 milionë eurosh, të cilën klauzolë së fundmi ishte e gatshme ta paguante skuadra e Mançester Junajtedit, por ishte vetë futbollisti që nuk deshi të largohej nga Madridi. Përveç gjigandëve anglez, për shërbimet e Godin interesohej edhe skuadra kampione e Italisë, Juventusi, mirëpo edhe këta nuk arritën që të bindin uruguaianin, i cili me fanellën e Atletiko Madridit ka zhvilluar plotë 350 ndeshje zyrtare, që nga viti 2010-të kur iu bashkua “jorganxhinjëve” nga rradhët e Viljarealit.
32-vjeçari tashmë ka marrë edhe shiritin e kapitenit pas largimit të Gabi Fernandez këtë verë, kurse klubi ia ka rritur edhe pagën për besnikërinë që ka treguar.