Mesfushori shqiptar nga Bogovina e Tetovës që përfaqëson Zvicrën, Blerim Xhemaili, në ndeshjen e fundjavës kundër Padovës, e vlefshme për Kupën e Italisë, mbante shiritin e kapitenit te skuadra e Bolonjës, që në fund shënoi fitore me rezultatin 2:0. Pikërisht Xhemaili shënoi golin e parë në minutën e 70-të nga pika e bardhë, ndërsa pas përfundimit të ndeshjes, tha se shiriti i kapitenit është një vlerësim për të, mirëpo kjo është pak me rëndësi, pasi më shumë rëndësi sipas tij kanë fitoret e skuadrës.
“Hymë në fushë për të fituar dhe për t’u dhënë një sinjal tifozëve tanë se jemi aty ku duhet. Ia arritëm qëllimit dhe më vjen mirë. Shiriti i kapitenit? Është një nder, por në skuadër ka shumë liderë dhe ajo që ka rëndësi është që Bolonja të fitojë. Shpresojmë që të dielën të luajmë një ndeshje të mirë në kampionat dhe ta nisim mbarë atë” – tha Xhemaili.
Futbollisti tetovar Bolonjës iu bashkua fillimin e vitit 2018-të në pjesën e dytë të sezonit, duke zhvilluar 15 ndeshje dhe duke realizuar 1 gol. Ai në “Serie A” numëron plotë 238 ndeshje dhe 29 gola të shënuar, ku më parë ka mbajtur veshur edhe fanellën e skuadrave të Torinos, Parmës, Napolit dhe Xhenoas.
32-vjeçari Xhemaili është titullarë edhe te përfaqësuesja e Zvicrës, me të cilën në Botërorin e fundit luajti në të gjitha ndeshjet, duke shënuar edhe një gol.