Pas një jete te skuadra e Barcelonës, mesfushori Andres Iniesta, vendosi që karrierën ta vazhdojë në Japoni, aty ku këtë fundjavë gjeti edhe golin debutues.
Skuadra “katalunase” në prag të ndeshjes së Superkupës kundër Seviljës, ka publikuar sot numrat që do të mbajnë në shpinë futbollistët dhe kureshtja më e madhe ishte se kush do ta merrte fanellën me nr.8, që për 20 vite u vesh nga Iniesta.
Atë numër do ta mbajë të veshur në fanellë braziliani Arthur, që erdhi këtë vit nga Gremio.
Braziliani 21-vjeçar është i bindur se do të jetë në lartësinë e Iniestas dhe do ta nderojë këtë fanellë. Pak ditë më parë, Arthur ishte protagonist i një goli fantastik të realizuar ndaj Totenhamit në kuadër të “International Champions Cup”, duke bërë që fansat e shumtë “blaugrana” ta duartrokasin gjatë.
Kiliani Arturo Vidal, një tjetër lojtar i ardhur këtë verë, do të mbajë fanellën me nr.22, Rafinja do të mbajë veshur fanellën me nr. 12, ndërsa Malkolm, atë me numër 14-të.
Mbrojtësi i ardhur nga Sevilja, Lenglet do të luaj me fanellën me numër 15, teksa Kutinjo siç paralajmëruam ditë më parë, në sezonin e ri do të bartë fanellën me numër 7.