Kampionët e Shkëndijës sezonin e ri futbollistik në Maqedoni e nisën me barazimin 2:2 përballë Vardarit në një takim, ku në qendër të vëmendjes doli të jetë arbitri, Aleksandar Stavrev. Ky i fundit ndah gjithsej 14 kartonë të verdhë, përfshirë këtu edhe dy kartonët e Armend Alimit, kapitenit të Shkëndijës, i cili në minutën e 63-të, ishte i detyruar që të braktis fushën.
Vardari avansoi 1:0 pas 5 minutave lojë falë golit të armenit, Tigran Barsegian, ndërsa Shkëndija në pjesën e parë mundësinë më të mirë për të barazuar e kishte përmes sulmuesit të saj, Besart Ibraimi, i cili humbi një 11-të metërsh në minutën e 14-të.
Kësisoj “kuqezinjtë” e nisën furishëm fraksionin e dytë kur fillimisht Ibraimi me një super gol nga gjuajtja e lirë në minutën e 53-të barazoi shifrat në 1:1, ndërsa edhe përkundër disavantazhit numerik në fushë, futbollistët e Shkëndijës gjetën forcë dhe në minutën e 73-të me anë të Bojkut për herë të parë në këtë ndeshje avansuan me rezultatin 2:1.
Edhe pse tre pikët u shfaqën në horizont për Shkëndijën në ato momente, lodhja nga ndeshjet europiane dhe fakti që luanin me një futbollistë më pak në terren, bëri të pamundur mbrojtjen e epërsisë, me ç’rast Vardari 5 minta para fundit të takimit me anë të Goran Popov barazoi rezultatin në 2:2.
Në kohën shtesë arbitri kryesore Aleksandar Stavrev nuk sanksionoi me penalti një lojë me dorë nga ana e mbrojtësit Evgenij Novak para portës së Vardarit, duke i mohuar në këtë mënyrë Shkëndijës një mundsi të pastër për fitore.
Kësisoj në fund barazim dhe ndarje të pikëve mes dy skuadrave më të mira në vend viteve të fundit ishte epilogu i ndeshjes së parë të sezonit të ri 2018/2019, që të shtunën dhuroi edhe një tjetër përballje shkupjano-tetovare, ku kësaj rradhe skuadra e Renovës nga Xhepçishti mundi Rabotniçkin me rezultatin 3:4 në arenën “Filipi i Dytë” në Shkup.