Ardian Cuculi gjatë ditës së sotme pritet të prezantohet si futbollistë i ri i Kukësit nga Superliga shqiptare. Një gjë të tillë për “VipSport” ka njoftuar drejtori sportiv i Kukësit, shkupjani Nderim Nexhipi, i cili bashkë me Cuculin në sezonin 2014/2015 ishin pjesë e Partizanit.
Cuculi së fundmi ishte pjesë e Shkëndijës, mirëpo pasi nuk vazhdoi kontratën me kampionët e vendit tonë, edhe përkundër ofertave të shumta që kishte në adresë të tij, ai në fund vendosi ta pranojë atë të Kukësit, skuadër kjo që shihet si një ndër skuadrat pretendente për titullin e kampionit në Superligën shqiptare.
Përveç Cuculit, te Kukësi pritet të prezantohet edhe sulmuesi që vjen si huazim nga Juventusi, Oumar Ture. Ai shihet si një ndër futbollistët, të cilët mund të ndihmojnë skuadrën verilindore në repartin e avancuar, aty ku Kukësi po has më shumë vështirësi pas largimit të Sindrit Gurit te skuadra belge e Ostendes.