Sot edhe zyrtarisht hap siparin sezoni i ri futbollistik në Ligën e Parë të Maqedonisë. Rabotniçki në arenën “Filipi i Dytë” do të mirëpret Renovën, njëjtë sikurse edhe një vit më parë, ndeshje ajo që përfundonte me rezultatin e fillimit, 0:0.
Trajneri i “romantikëve”, Gjore Jovanovski thotë se çdo fillim është i vështirë, mirëpo pret që skuadra e tij të bëjë një paraqitje cilësore kundër Renovës.
“Çdoherë është e vështirë në fillim, ndërsa kushtet klimatike do të jenë është një barë shtesë për futbollistët e të dyja skuadrave. Jemi të gatshëm dhe besoj se skuadra do të bëjë punën e saj. Renova është një skuadër shumë cilësore, ata çdoherë dëshirojnë të luajnë futboll dhe ne do të pranojmë sfidën. Luajmë në teren vendas dhe shpresojmë në sukses” – thotë trajneri i “romantikëve”, Gjore Jovanovski.
Arbitër kryesor i këtij takimi do të jetë Marjan Gocevski, ndërsa ndihmës të tij do të jenë Gjorgji Stankovski dhe Kire Angellovski. Arbitër i katërt do të jetë Vasko Mavrov, që të gjithë nga Strumica.