
Jeton Beqiri ka debutuar me fitore në bankinën e Renovës, duke mundur Rabotniçkin në arenën “Filipi i Dytë” në Shkup, njofton “infOSport.mk”.
Në një super ndeshje me 7 gola të shënuar, Renova shënoi fitore me rezultatin 3:4, duke qenë në vazhdimësi në epërsi përballë “romantikëve”.
Një super gol nga ana e futbollistit të rikthyer, Alban Sulejmani në minutën e 4-të, solli në epërsi Renovën, ndërsa nuk vonoi shumë dhe Fatjon Jusufi me kokë shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e vendasve.
Golin e parë Rabotniçki e realizoi në minutën e 23-të me anë të Petar Petkovskit, i cili shënoi një super gol me një goditje nga distanca.
Në ato momente rezultati ishte 1:2 në të mirë të “gjipspunuesve”, të cilët vetëm pas tre minutave lojë në pjesën e dytë, me anë të Vllatko Stojanovskit edhe për herë të dytë në këtë ndeshje avansuan me dy gola epërsi.
Mirëpo në minutën e 55-të vendasit përfituan një penalti, të cilën në gol e shndërroi kapiteni i “romantikëve” Ostoja Stjepanoviç.
Një aksion i bukur nga ana e Nikolla Pantoviç bëri që Vllatko Stojanovski në minutën e 68-të të shënoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për Renovën, ndërsa rezultatin përfundimtarë, Rabotniçki 3, Renova 4, e vendosi një autogol i Aleksandar Risteskit, i cili në minutën e 86-të mposhti portierin e tij, Kobetiç, transmeton “infOSport.mk”.
Fitore më se e merituar kjo e Renovës, që në këtë mënyrë e nisi me këmbë të mbarë sezonin e ri në LPFM, ku vërtetë këtë skuadër e pret shumë punë, edhe pse loja që treguan sot të përzgjedhurit e trajnerit Jeton Beqiri jep shumë shpresa për tifozët e skuadrës nga Xhepçishti, se mund të rikthehen në mesin e skuadrave që do të pretendojnë një vend për në garat europiane.