Trajneri i ri i Arsenalit, Unai Emery, e ka emëruar mbrojtësin Lorent Kosçielni si kapiten të parë, ndërsa një nga katër zëvendës-kapitenët e klubit është edhe shqiptari i cili luanë për Kombëtaren e Zvicrës, Granit Xhaka.
Kosçielni, i cili tani është i lënduar, ishte kapiten edhe sezonin e kaluar në vend të Per Mertecaker, i cili u pensionua në fund të sezonit, duke marrë rolin e menaxherit në akademinë e klubit.
“Kapiten i skuadrës është Lorent Kosçielni, i cili është i lënduar për momentin. Pas Lorentit, kapitenët e tjerë janë Petr Çeh, Aron Ramzi, Mesut Ozil dhe Granit Xhaka”, ka thënë Emery.
“Dua liderë në skuadër, çdo lojtarë të ndjehet si kapiten në çdo moment për të treguar aftësinë e tyre në lidership. Por, për momentin, këta pesë lojtarë e kanë mundësinë për të qenë kapitenë” – ka përfunduar Emery.