Shkupjani Armend Çajani i bashkohet Genç Kalemler

Genç Kalmeler po vazhdon me përforcimin e skuadrës në prag të sezonit të ri futbollistik në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”. Futbollist i rradhës që i është bashkuar skuadrës nga Gostivari, është shkupjani Armend Çajani, i cili Genç Kalemlerit i bashkohet nga Vardari i Forinës.

Pikërisht me këtë të fundit skuadra e Genç Kalemler deri javën e fundit luftonte edicionin e kaluar për një vend në Ligën e Dytë, ku falë fitores 3:0 në stadiumin e qytetit të Gostivarit në fund i’a arriti qëllimit që të ngjitet një rang më lartë.

Çajani shihet si një përforcim i madh në mesfushë, por edhe në vijën sulmuese. Ai me Vardarin e Forinës sezonin e kaluar ishte ndër futbollistët më standard, ku arriti që të realizojë 10 gola, ndërsa gjithashtu u shpall edhe si asistuesi më i mirë, që njëherit janë edhe arma e tij më e fortë.

Ndryshe Armend Çajani karrierën e tij e kishte nisur te FC Shkupi që në moshën 6-vjeçare, ku edhe kishte kaluar të gjitha grupmoshat, para se të provonte veten te Vardari i Forinës, pas atij lëndimi të rëndë që e largoi atë nga fushat e blerta për një vit të plotë.

Ai tashmë me Genç Kalemlerin, me të cilën skuadër ka nënshkruar kontratë një vjeçare kërkon sfida të reja dhe rikthimin e fuqishëm në futboll.

Leave a Reply