Një “stuhi” duket se ka goditur dhomat e zhveshjes së kombëtares zvicerane, aty ku duket se ka nisur një lloj spastrimi.
Ai që paguan vendimin për të nisur një rinovim masiv të përfaqësueses helvete është Valon Behrami, të cilit i është komunikuar pasditen e kësaj të hëne se nuk do të grumbullohet më nga trajneri Petkoviç.
“Petkoviç më ka telefonuar sot” – shpjegon mesfushori me origjinë shqiptare i Udineses për televizionin helvet “RSI”. –
“Mendoja se ishte një telefonatë kortezie, por më vuri me shpatulla pas murit”.
“Kam menduar disa herë të largohem, por ndihesha ende protagonist i këtij grupi”, vijon më tej kosovari i Zvicrës, i cili akuzon trajnerin Petkoviç se i është përgjigjur me tone të larta, pavarësisht se motivi zyrtar i largimit të tij është i natyrës teknike.
“Kjo është një zgjedhje politike. Trajneri mund të thotë gjithçka dëshiron, por bëhet fjalë dukshëm për një zgjedhje politike. Është një vendim i marrë nga dikush që nga futbolli nuk kupton asgjë”, ka thënë mesfushori i Udineses.
Sipas asaj që shpjegojnë mediet zvicerane, zgjedhja e trajnerit është pjesë e një plani për rinovimin e kombëtares, që mund të nxjerrë “jashtë loje” edhe senatorë të tjerë të Zvicrës, si Johan Xhuru, Gelson Ferndandes dhe Stefan Lidhtsjner, të cilëve në fakt nuk iu është komunikuar asgjë deri më tani.
Ndërkohë, ka edhe zëra që thonë se Behrami është përjashtuar nga kombëtarja për shkak të peshës në rritje të tij në dhomat e zhveshjes, duke u bërë sipas tyre, një pengesë e madhe për Petkoviçin. Fakt mbetet se mesfushori e mbyll eksperiencën e tij me kombëtaren e Zvicrës pasi ka marrë pjesë në 4 Botërorë, një rekord ky për një “zviceran”, duke luajtur në 83 ndeshje dhe duke shënuar dy gola.