Shkëndija sonte në mbrëmje niset drejt Austrisë

Shkëndija mëngjesin e sotëm në Tetovë do të zhvillojë edhe stërvitjen e saj të fundit para nisjes për në Austri, ku të mërkurën do të zhvillojë ndeshjen e parë të turit të tretë eliminatorë ndaj skuadrës së njohur austriake të Red Bull Salzburgut, njofton “infOSport.mk”.

Ekspedita “kuqezi” drejt Austrisë do të niset në mbrëmje, ndërsa në mesin e futbollistëve mbizotëron një atmosferë shumë e mirë, që shpresojnë se do të jap rezultatin e duhur edhe në këtë transfertë të vështirë.

Pas eliminimit të Nju Seints dhe Sherif Tiraspol, “kuqezinjtë” e Qatip Osmanit kanë ngritur vetëbesimin, ndërsa presionin kërkojnë ta kthejnë në motiv, pasi përballë një kundërshtari të fuqishëm si Salzburgu, nuk kanë se çfarë të humbasin.

Rivali i tretë i Shkëndijës është një emër i madh në futbollin austriak dhe europian, gjysmëfinalist i edicionit të kaluar në Liga Europa, aty ku u eliminua nga Olimpiku i Marsejës.

Për dy ndeshjet ndaj Salzburgut, trajnerit Qatip Osmani i shtohet një zgjidhje shtesë me Gledi Micin që fiton të drejtë loje.

Mbrojtësi i majtë u bashkua me “kuqezinjtë” pak para sfidave me Sherif Tiraspolin, ndërsa tashmë gjithçka është në rregull, dhe ai është regjistruar për raundin e tretë eliminatorë ku shpreson të debutojë pikërisht ndaj një skuadre të madhe, siç është Salzburgu.

Leave a Reply