Milani insiston për Igli Taren

Igli Tare është kthyer në një nga emrat më të vlerësuar mes drejtuesve sportivë në futbollin italian ndaj nuk është rastësi që për të të interesohen klubet më të mëdha italiane të cilat janë të gatshme të përfitojnë nga çdo situatë e mundshme për t’ia rrëmbyer Lacios.

Tare nuk ka rinovuar ende kontratën e tij me bardhekaltrit dhe ndonëse është shprehur se firma është çështje formaliteti, ajo nuk ka mbërritur ende. Kjo ka shtyrë Milanin te hedhë sytë nga drejtuesi shqiptar, për ta bërë pjesë të stafit të ri ku do të punojë përkrah emrave shumë të njohur dhe të merret me çështjet e merkatos përkrah brazilianit Leonardo.

Emri i tij qarkulloi për herë të parë në ambientet kuqezi para dy javësh, kur “Elliot” mori administrimin e klubit italian dhe sipas “La Gazzetta Dello Sport”, vazhdon të jetë një nga temat e diskutimit te Milani. Pas emërimit të Gazidis e Gandinit si administratorë të deleguar, të Maldinit si pjesë e departamentit të zhvillimit dhe të Leonardos si menaxherin e përgjithshëm, kërkohet një drejtor sportiv i “sprovuar” në futbollin italian.

Emri i Tares është rreshtuar përkrah atyre të Soljano dhe Guintoli, dy alternativa të tjera që po shqyrtohen nga klubi dhe që pritet të kontaktohen në ditët në vijim për të mësuar nëse janë të gatshëm të bëhen pjesë e kësaj aventure të re të klubit. (vipsport.al)

Leave a Reply