Shkëndija-Vardari, caktohet data e zhvillimit të ndeshjes

Shkëndija dhe Vardari, dy skuadrat e fundit kampione të Maqedonisë, do të kenë nderin për të hapur sezonin e ri 2018/2019 në Ligën e  Parë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja në Tetovë midis dy skuadrave më të mira viteve të fundit në futbollin vendor do të zhvillohet me datë 11 gusht, një ditë më herët se ndeshjet e tjera të javës së parë në elitën e futbollit vendor.

Kjo për shkak pjesëmarrjes së Shkëndijës në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, ku me datë 14 gusht e pret ndeshja e kthimit kundër Salzburgut, e vlefshme për turin e tretë eliminatorë të Ligës së Kampionëve Europian.

Vardari kishte pranuar kërkesën e Shkëndijës që kjo ndeshje të zhvillohet një ditë më parë, me qëllim që të kenë kohën e duhur për tu përgatitur për ndeshjen e dytë që do të zhvillohet në arenën ‘’Filipi i Dytë”.

Rikujtojmë se edhe edicionin e kaluar Shkëndija dhe Vardari ishin takuar që në xhiron e parë, me “kuqezinjtë” nga Tetova që kishin dalë fitues me rezultatin 2:0, falë golave të shënuar ga Armend Alimi dhe Stenio Zhunior.

Leave a Reply