Talenti për sport në këto anë asnjëherë nuk ka munguar, por kushtet e vështira gjithmonë janë shfaqur si pengesë për ngritjen e sportistëve tanë në nivele më të larta dhe arritje të rezultateve kulmore. Si pasojë tradicionalisht sukseset më të mëdha të sporteve individuale i kemi patur në sportet marciale si mundja, karateja apo boksi dhe më rrallë edhe në skijim. Por gjërat fatmirësisht kanë ndryshuar kjo me meritë të atdhetarëve tanë që daljen në gurbet paralel me sigurimin e një jete më të mirë e kanë shfrytëzuar edhe për zhvillim dhe ngritje kulturore dhe sportive. Nëse tanimë sot bota na njeh për sukseset e futbollistëve shqiptarë që luajnë me përfaqësueset e Zvicrës, Gjermanisë e Belgjikës, me sportistë, aktorë e këngëtarë që kanë bërë emër në nivele botërore, kemi edhe raste unike të talentit në sporte që deri tani kanë qenë të paprekshme, si garat me makina të shpejta të njohura më shumë me termin ‘Formula’. Lirim Zendeli, me prind nga Shkupi, por ai vet i lindur dhe i rritur në Gjermani, sot garon në kategorinë e Formula 4. Zendeli në një prononcim ekzkluziv për televizionin SHENJa, ka zbuluar startin e tij në botën e këtij sporti.
“Po në fillim, unë kam qenë i pasionuar pas veturave të shpejta, babi im gjithmonë i ka ndjekur Formulat dhe kshtu më pas shkonim në karting dhe hap pas hapi erdhi puna që të garojë në Formula 4”, thotë kampioni i Formula 4, Lirim Zendeli.
Nga kartingu fillestar deri te Formula 4 ku shfaq dominim për momentin, në kushte kur talenti i padiskutueshëm dëshmohet thuajse pas çdo gare, ngritja e të riut nga Shkupi në nivelet më të larta tashmë varet direkt nga mbështetja finansiare.
“Shpresojmë që mundem të arrijë të garojë edhe në Formula 3, por nvaret shumë nga financimi. Talentin besoj që e kam dhe jam mjaftë i aftë për të arritur në Formula 3, mirëpo na nevojiten sponsor, pasi deri më tash babai im me një sponsor të Bohumit janë duke na sponsoruar në Formula 4, ndërsa për t’u kyçur në Formula 3 nevojiten edhe më shumë financa”, shprehet shkupjani.
Lirim Zendeli syon të kalojë nivelet një nga një për të prekur majat e këtij sporti, duket shumë i motivuar për të dhënë më të mirën në drejtim të ngritjes së nivelit me më të mirët e garave me makinat e shpejta, duke shpresuar se në të njejtën kohë do të arrijë edhe mbështetja e nevojshme nga sponsorët.
“Është vështirë për ta thënë, pasi edhe ajo nvaret nga financimet. Ka prej tyre që garojnë vetëm 1 vit në Formula 3 dhe kualifikohet në Formula 2, por ka edhe prej tyre që garojnë nga 2 vite në Formula 3 dhe 2 vite tjera në Formula 2. Nuk dihet se në çfarë rrugë je, por mund të jesh në Formula 1 pas katër viteve, por mund edhe pas 5 ose 6 viteve”, sqaron Zendeli.
Se në të vërtetë bëhet fjalë për një talent të madh të këtij sporti dhe jo vetëm për fjalë dëshmon performanca e Zendelit në këtë sezon të ‘Formula 4’, ku shkupjani u shpall kampion i këtij kampionati, duke lënë pas vetes ndjekësit e tij me diferencë shumë të madhe të pikëve.
I dashuruar në këtë sport Lirim Zendeli që në moshë shumë të vogël ka patur mundësinë të takohet me legjendën e Formula 1, Mihael Shumaherin, vizitat te skuaderia e Ferrarit i kanë sjellë takim me Sebastian Fetelin, mirëpo i preferuari i tij në këtë sport mbetet britaniku Luis Hamilton.
“Mihael Shumaherin e kam njohur që nga mosha e vogël, pasi në karting kemi qenë pjesë e ekipit të tij, ku edhe djali i tij garonte së bashku me ne. Këtë vit na kanë mundësuar që të kemi takim me Sebastian Fetelin, kemi qenë në boksin e Ferrarit, ku jemi shoqëruar së bashku me ekipin e Ferrarit, na kanë treguar të gjitha gjërat se si punojnë, që ishte diçka shumë interesante. Unë e kam qejf shumë Luis Hamiltonin, se është një pilot pak më egoist se tjerët, pak më agresiv dhe shumë më pëlqen se si garon në Formula”, përfundon kampioni i Formulës 4.
Sot e pëlqen por paralel ëndëron dhe punon për të qenë një ditë pjesë e nivelit më të lartë të garave me makina të shpejta. Lirim Zendeli duket i determinuar për të ecur përpara, ndërsa me shpresën se nuk do të mungojë mbështetja finansiare, shkupjani premton të japë më të mirën për tu bërë shqiptari i parë që do të garojë në ‘Formula 1’.