Armando Sadiku dëmtohet rëndë, e konfirmojnë edhe nga Levante

Lajm shumë i keq për Armando Sadikun dhe kombëtaren shqiptare të futbollit. Klubi i Levantes ka konfirmuar pak minuta më parë se dëmtimi i pësuar nga lojtari në gjurin e majtë gjatë ndeshjes kundër Herenven, mund të jetë i rëndë e si pasojë, ta lërë për disa muaj larg fushave të lojës.

Sadiku u dëmtua në gjurin e majtë pas një përplasje dhe u largua i mbajtur nga krahët nga stafi mjekësor i ekipit. Pak minuta pas përfundimit të ndeshjes, Levante bëri të ditur me një komunikatë zyrtare se konfirmohej pikërisht ajo që i frikësoheshin më shumë.

“Një vizitë e parë mjekësore, e zhvilluar në ambientet e stadiumit, konfirmon dyshimin se Sadiku mund të ketë një dëmtim të rëndë në gjurin e majtë. Sulmuesi do t’i nënshtrohet testeve më specifike mjekësore pas kthimit në Valencia për të përcaktuar shkallën përfundimtare të këtij dëmtimi”, shkruante klubi spanjoll në komunikatën e shpërndarë për mediat.

Duhet kujtuar se dy vite më parë, pikërisht një dëmtim në gjurin e majtë la sulmuesin e përfaqësueses shqiptare për disa muaj larg fushave të lojës. Nëse përsëritet ai dëmtim në menisk, me shumë mundësi Sadiku do të humbasë pjesën e parë të sezonit me Levanten e padyshim edhe ndeshjet e përfaqësueses në Ligën e Kombeve. (vipsport.al)

Leave a Reply