Garet Bejll do të qëndrojë në Madrid, por vështirë se do të jetë ylli i ri i klubit madrilen, ndaj dhe presidenti Florentino Perez nuk dëshiron të lërë fatet e skuadrës vetëm te sulmuesi uellsian.
Për këtë arsye, sipas “El Pais”, drejtuesit e skuadrës spanjolle kanë nisur prej kohësh bisedimet, madje në fshehtësi, me disa nga yjet e Premierligës angleze. Bëhet fjalë për sulmuesin e Totenhamit, Hari Kejn dhe atë të Liverpull, Mohamed Sallah.
Pritet që Real të trokasë në dyert e këtyre dy ekipeve me oferta konkrete dhe vërtet joshëse, si për klubet përkatgëse ashtu dhe lojtarët, duke synuar që t’i sjellë të dy në “Santiago Bernabeu” që gjatë merkatos së verës. Pasi dështoi të sjellë në Madrid yjet e PSZH-së, Nejmar e Mbape si dhe duke parë që Çelzi kërkon shumë për të lënë të lirë belgun Eden Hazard, atëherë dy sulmuesit e Premierligës mbeten objektivat e mbetur.
Por nuk ka për të qenë aspak e lehtë për Real të “rrëmbejë” këta dy sulmues, që kanë shkëlqyer vitin e kaluar në Premierligën angleze me skuadrat e tyre, duke qenë edhe golashënuesit më të mirë. Për më tepër që kampionati anglez është në prag dhe për Totenhamin e Liverpullin do të jetë e pamundur të gjejnë zëvendësues. Gjithsesi, nëse ofertat do të jenë të mira, gjithçka mund të ndodhë në merkato deri në ditën e fundit.