Drejtuesit e rinj të FC Shkupit vazhdojnë të punojnë me përkushtim në përmirësimin e kushteve për punë edhe me gjeneratat e reja të futbollistëve që kanë në gjirin e tyre, njofton “infOSport.mk”.
Së fundmi pas ardhjes në klub të menaxherit Ertan Demiri dhe drejtorit sportiv, Omer Bunjaku, FC Shkupi ka shtuar edhe numrin e trajnerëve për grupmoshat e reja. Kështu që për herë të parë në rolin e trajnerit te kjo skuadër me moshat e reja do të punoj edhe ish futbollisti i skuadrës nga Çairi, Minas Osmani, ndërsa rikujtojmë se për herë të parë në rolin e trajnerit do të jetë edhe Alisa Vishi, i cili deri më tani te FC Shkupi luante rolin e trajnerit të portierëve.
Minas Osmani, një emër i njohur i futbollit në vendin tonë, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur me të gjitha skuadrat shkupjane, si Vardari, Rabotniçki, Metalurgu dhe FC Shkupi, do të drejtojë gjeneratën 2011-2012, ndërkohë Alisa Vishi do të drejtojë gjeneratën 2002 (pionërë të vjetër), që deri më tani udhëhiqeshin nga Ferdi Ismaili.
Ky i fundit duke filluar nga ky edicion do të drejtojë gjeneratën 2003 (pionierët e rinj), si dhe gjeneratën 2006, teksa Erkan Murseli përveç juniorëve (gjenerata 2000) do të drejtojë edhe 2009-shat.
Halim Bilali do të drejtojë ekipin e kadetëve të lindur në vitin 2001, koordinatori i shkollës së futbollit të FC Shkupit, Jeton Musliu do të drejtojë gjeneratat 2005 dhe 2008, teksa Enes Qaili do të stërvit gjeneratën 2004 dhe 2010.