Shkëndija shkruan tjetër faqe në historinë e saj europiane pasi për herë të parë arrinë të prek raundin e tretë të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve. Goli i Besart Ibraimit në takimin e parë në Shkup u tregua i mjaftueshëm që “kuqezinjtë” të eliminojnë kampionin e Moldavisë, Sherif Tiraspolin me djemtë e trajnerit Osmani që fitoren 1:0 në takimin e kthimit e mbrojtën me sukses duke barazuar pa gola në Moldavi.
I kënaqur me kualifikimin shefi i bankinës “kuqezi”, Qatip Osmani para mediave uroi futbollistët për performansën, ndërsa shtoi se eliminimi i një skuadre cilësore si Sherif Tiraspolit rrit vetëbesimin e futbollistëve për të ardhmen.
“Uroj futbollistët e mi për paraqitjen e sotme dhe angazhimin që dhanë. Edhe pse u orientuam më shumë në defanzivë besoj se Shkëndija sot e meritoi kualifikimin në raundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Kishim përballë rival shumë cilësorë dhe gëzimi ynë është edhe më i madh për faktin që eliminuam një skuadër siç është Sherif Tiraspoli. Kjo bën që vetëvetiu te të gjithë ne, por posaçërisht te futbollistët të rritet vetëbesimi”, – deklaroi mes tjerash shefi i stafit teknik i Shkëndijës, Qatip Osmani në konferencën për shtyp pas përballjes me Sherif Tiraspolin.
Shkëndijën në raundin e tretë eliminatorë e pret përballja ndaj gjigandëve austriak të Red Bull Salzburg, skuadër kjo që sezonin e kaluar luante në gjysmëfinalet e Liga Europa, kur ishte eliminuar nga Olimpiku i Marsejës.