Vëllazërimi dhe Ferronikeli gjatë ditës së sotme në stadiumin e qytetit të Kërçovës zhvilluan një miqësore, e cila në fund arsyetoi epitetin e saj, pasi të dyja skuadrat u ndanë miqësisht, duke barazuar pa gola, njofton “infOSport.mk”.
Trajnerët e të dyja skuadrave, Bujar Islami i Vëllazërimit dhe Sulejman Starova i Ferronikelit në këtë ndeshje ju dhanë mundësinë të gjithë futbollistëve, të cilët para tyre treguan formën momentale dhe cilësitë që posedojnë.
Edhe pse ndeshja u mbyll me rezultatin e fillimit, nuk është se rastet munguan. Ata i krijuan të dyja skuadrat, mirëpo mungonte finalizimi, që don të thotë se të dy trajnerët deri në fillimin e kampionateve përkatëse duhet punuar në këtë drejtim më shumë.
Edhe Superliga e Kosovës, edhe Liga e Dytë e Maqedonisë startojnë të njëjtën javë, 18-19 gusht, ashtu që Islami dhe Starova me siguri se deri atëherë do të nxjerrin më të mirën nga futbollistët e tyre.
Duhet theksuar që kjo miqësore të duket më shume se vëllazërore u përkujdesën edhe dy presidentët e klubeve, Blerim Sadiku i Vëllazërimit dhe Naser Ramaj i Feronikelit, që e ndoqën ndeshje bashkë pranë njëri tjetrit nga tribunat e stadiumit.