Edhe përkundër ofertave në adresë të Dinamo Zagrebit për shërbimet e Arijan Ademit, drejtuesit e skuadrës gjigande kroate nuk kanë ndërmend të ndahen me futbollistin shqiptarë, i cili pa dyshim se është një lider në fushën e blertë te skuadra e tij. Ishin Bordo dhe Lil skuadrat e interesuara për shërbimet e futbollistit shqiptarë me origjinë nga Tetova, mirëpo që morrën përgjigje negative nga drejtuesit e Dinamo Zagrebit.
Lil madje erdhi edhe me ofertën e dytë në vlerë prej 5 milion eurosh, po aq sa ishte afërsisht edhe oferta e drejtuesve të Bordos, mirëpo edhe kjo shumë nuk ishte e mjaftueshme që Dinamo Zagrebi ta lë të lirë Ademin, për të cilin po përgatitet një kontratë e re, sipas së cilës ai edhe gjatë kohë do të qëndrojë në “Maksimir”.
Sipas asaj që shkruan “Sportske Novosti”, Dinamo po përgatitë një kontratë jetësore, në bazë të së cilës Ademi do të qëndronte në Maksimir deri në fund të karrierës së tij. Rikujtojmë drejtuesit e Dinamo Zagrebit i qëndruan pranë Ademit edhe në momentet më të vështira, kur ai rezultoi pozitiv në doping testin e UEFA-s pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit, me ç’rast për dy vite të plota qëndroi jashtë fushave të futbollit.
Ky gjest nga ana e skuadrës kroate, është ndoshta edhe arsyeja kryesore që edhe Ademi nuk dëshiron të largohet nga klubi i tij i zemrës, të cilin e ndihmoi me dy gola në ndeshjen e parë të fazës së dytë të Ligës së Kampionëve kundër Hapoel Ber Sheva, ndaj së cilës skuadër në fund Dinamo Zagrebi kishte shënuar fitore me rezultatin e thellë 5:0, dhe thuajse me një këmbë është e kualifikuar për në raundin e tretë të garës më prestigjioze europiane në nivel klubesh.