Barcelona e ka nisur me fitore turneu “International Champiobs Cup”. Orët e hershme të mëngjesit skuadra “katalunase” mundi Totenhamin përmes penaltive në ndeshjen e zhvilluar në “Rouz Boull” në Kaliforni.
Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultatin 2:2, pasi kampionët e Spanjës avansuan me rezultatin 2:0, pas golave të shënuar nga Munir El Hadadi dhe Arthu Melo. Ky i fundit shënoi një super gol në debutimin e tij, duke bërë me dije se do të jetë një përforcim i madh për Barcelonën për sezonin e ri futbollistik. Melo shënoi me një goditje të fuqishme dhe të saktë nga distanca, pasi pranoi një top nga Rafinja.
Mirëpo edhe kjo epërsi nuk ishte e mjaftueshme që Barcelona ti gëzohet fitores në kohën e rregullt, pasi Totenhami falë golave të shënuar brenda dy minutave nga ana e Heung Min Son (73’) dhe Nkudu (75’), arriti që të barazojë shifrat dhe të dërgojë ndeshjen drejt penaltive. Këtu më të suksesshëm u teguan futbollistët e Barcelonës, të cilët ishin të saktë në të gjitha 5 goditjet, teksa Silesen bëri atë pritje vendimtare, kur ndali goditjen e Entoni Georgiu në serinë e tretë. Blerja e re Malkom ishte ai që shënoi penalltinë e fitores për “katalunasit”.