Skuadra e Shkëndijës pasi mbylli përgatitjet në Tetovë, mëngjesin e sotëm u nis drejt Moldavisë, aty ku të martën do të zhvillojë ndeshjen e kthimit të raundit të dytë eliminatorë të Ligës së Kampionëve kundër Sherrif Tiraspoll.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shkup, Shkëndija shënoi fitore minimale 1:0, ndërsa mbrojtësi Egzon Bejtullai në një intervistë për “Alsat-M”, tha se ai bashkë me bashkëlojtarët tjerë të skuadrës do të japin maksimumin edhe në ndeshjen e kthimit, ku shpresojnë në një rezultat pozitiv.
“Nuk do të thotë se kemi fituar 1:0 dhe atje do të shkojmë me flamur të bardhë dhe të dorëzohemi. Do të përpiqemi që edhe atje të fitojmë ose të barazojmë. Mirëpo me rëndësi është që ekipi të vazhdojë në Ligën e Kampionëve” – tha Egzon Bejtullai.
Ai beson se ekipi është i gatshëm që të bëj atë hap historik dhe të vazhdojë garat në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve.
“Të gjitha ndeshjet janë të rënda dhe kemi respekt të madh për ekipin e Sherif Tiraspollit. Kam besim te ekipi, mendoj se jemi një grup shumë i mirë dhe gjithë së bashku do të kalojmë këtë pengesë dhe do të dalim fitues” – u shpreh mbrojtësi i skuadrës tetovare.
Ndeshja Sherif Tiraspol-Shkëndija në program është të martën (31 korrik) me fillim në ora 19:00, ndërsa fituesi nga kjo përballje në raundin e tretë eliminatorë do të përballet me gjigandët austriak të Salzburgut.