Pas largimit të Kristiano Ronaldos në drejtim të Juventusit, në sulmin e Realit të Madridit është krijuar një zbraztirë e madhe. Që nga largimi i yllit portugez mediat e ndryshme sportive kanë shkruar për emra të ndryshëm, mirëpo nëse lidhur me këtë çështje vendosin tifozët “madrilen”, ata tashmë kanë bërë zgjedhjen e tyre.
Sipas tyre në “Santiago Bernabeu” duhet të vi sulmuesi i Totenhamit, Hari Kejn, i cili aftësitë e tij të larta realizuaese i dëshmoi edhe në Botërorin e fundit kur fitoi çmimin e “Këpucës së Artë”.
Në një sondazh online të hapur nga “Marca”, Hari Kejn ka mbledhur 26 për qind të votave të tifozëve të Real Madridit, duke lënë pas vetes Edinson Kavanin e PSZH-së, që kishte grumbulluar 14% të votave.
Me përqindje të njëjtë në vendin e tretë është renditur sulmuesi i Interit, Mauro Ikardi, emri i të cilit me ekipin “mberëtror” lidhej që në sezonin e kaluar.