Nata e 28 korrikut në Kërçovë do të jetë dëshmitare e një spektakli të madh e sporteve luftarake i cili pritet të dhurojë emocione për të gjithë dashamirët e boksit. Kikboksieri kërçovar Burim Aliu të shtunën do të duelojë për titullin kampion bote në K1 ndaj serbit Antonio Zovak. Aliu vlerëson se ndihet i përgatitur për meçin e së shtunës, ndërsa shprehet se ndihet krenar, pasi do të ketë mundësinë të luftojë për titullin kampion, pikërisht në qytetin e lindjes në Kërçovë.
“Përgatitjet kanë qenë shumë mirë dhe shumë fortë, kanë qenë 3 muaj intenzivë. Jemi përgatitur me klubin, Super Pro Pro Senter” në Bazell të Zvicrës, si ashtu me trajnerin Remzi Berishën dhe Shemsi Beqirin dhe gjithashtu për luftën kemi zhvilluar taktikën tonë se si do ta zhvillohet lufta. Jam shumë krenar që do të luftoj në vendin e lindjes në Kërçovë dhe priti shumë përkrahje prej Kërçovës, Kërçovarëve, që ta shfrytëzoj shansën që titulli të mbetet në Kërçovë”, tha Burim Aliu.
Ndonëse, Aliu konsiderohet favorit në këtë dyluftim, megjithatë shpreson ti kënaqë të gjithë me paraqitjen e tij, teksa kërçovari nuk mund ti fshehë emocionet që i ka para ndeshjes, duke thënë që titulli do të mbetet në Kërçovë.
“Aty është sport, nuk dihet nuk mundesh ta planifikosh, qysh do të shkojë ndeshja, shpresa ime është që të gjithë të jenë të kënaqur me eventin dhe luftat që do të jenë atë natë me 28-tin në Kërçovë. Besoj se do të jem me shumë empcione atë natë se është ne vendlindje në Kërçovë. Besoj në vetvete. Do e mbaj titullin në Kërçovë. Do e jap makskimumin. E ndjej veten mirë, në formë”, tha në një prononcim për TV Shenja, kik boksieri Burim Aliu.
Gjithashtu natën e së shtunës do të zhvillohen edhe 14-të duele të tjera, ku mes tjerash do të ngjiten në ring emra të mëdhenj të boksit botëror si Shemsi Beqiri e Besnik Limani si dhe vëllezërit Avdylaj. Pjesëmarrjen në këtë turne e kanë konfirmuar kikboksierë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria dhe shumë vende tjera nga ballkani. Të gjitha duelet e natës së shtunë do të mbahen në sallën sportive “Jançica” në Kërçovë.