Largimi i Blerim Kotobellit ka lënë një boshllëk të madh në krahun e majtë të mbrojtjes te Partizanit nga Tirana, drejtuesit e së cilës skuadër me shumë kujdes po shohin disa alternativa për të zgjedhur opsionin më të mirë.
Burime për portalin shqiptarë, “eduasportin.com”, bëjnë me dije se drejtuesit e Partizanit kanë filluar bisedimet me mbrojtësin e krahut të majtë të Vardarit, Darko Glishiç, i cili aktualisht është një lojtar i lirë.
26-vjeçari pjesë e Vardarit ishte për 4 vite të plota, mirëpo konkurrenca e madhe te skuadra shkupjane bënte që ai në shumicën e ndeshjeve të qëndrojë në bankinë. Brenda kësaj periudhe të kaluar te Vardari, Glishiç ka zhvilluar vetëm 45 ndeshje, ndërsa rikujtojmë se në Maqedoni u rikthye pas një aventure dy vjeçare (2012-2014) që pati te skuadra e njhur gjeorgjiane e Dinamo Tbilisi.
Ndryshe Glishiç në Maqedoni përveç me ekipin e Vardarit, ku edhe kishte filluar karrierën e tij, kishte luajtur edhe me Skopjen, Napredokun e Kërçovës dhe Teteksin, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe në Bosnje e Hercegovinë me skuadrën e Olimpija Sarajevo.
Afrimi i tij te Partizani do të zgjidhte përfundimisht problemet e skuadrës nga kryeqendra shqiptare në krahun e majtë. Aktualisht në dispozcion të trajnerit Gega është vetëm Renaldo Kalari, ndërsa kohët e fundit për këtë pozcion është përdorur edhe mesfushori Lorenc Trashi. Bisedimet me Glishiç, janë në fazë të avancuar, por futbollisti shkupjan ka edhe disa oferta të tjera.