Laçi është mposhtur me rezultatin bindës 0:3 në transfertën norvegjeze ndaj skuadrës së Moldes në takimin e parë të vlefshëm për turin e dytë të Liga Europa.
Norvegjezët e Moldes ishin shumë të fortë për skuadrën kurbinase, që tashmë misioni kualifikim bëhet thuajse i pamundur për bardhezinjtë.
Në këtë ndeshje te Laçi debutoi edhe kroati i Skënderbeut, Marko Radash, mirëpo edhe më të në formacion, mbrojtja e laçianëve ishte një kafshatë e lehtë për norvegjezët, të cilët vetëm pas 5 minutave lojë avansuan falë një goli të realizuar nga pika e bardhë nga ana e Haland.
Golin e dytë Laçi e pësoi në minutën e 24-të, ndërsa kësaj rradhe në listën e golashënuesve u regjistrua Hestad.
Skuadra e drejtuar nga ish sulmuesi i Mançester Junajtedit, Solskjaer e administroi shumë mirë avantazhin duke krijuar edhe raste të tjera për shënim në pjesën e parë, ndërkohë që në minutat 32 dhe 34 Hoxhallari dhe Lushkja nuk shënjestruan siç duhet portën e vendasve të Moldes.
Laçi nuk gjeti forcën e duhur dot as në pjesën e dytë për të shënuar atë gol shumë të dëshiruar, ndërsa këtë më së miri në anën tjetër e shfrtëzuan vendasit, të cilët në minutën e 79-të me anë të rezervistit Xhejms shënuan edhe golin e tretë, i cili shuajti çdo shpresë të Laçit se në ndeshjen e kthimit në Shqipëri mund të bëjë ndonjë befasi.
Tashmë skuadrës kurbinase do t’i nevojitet një mrekulli për të përsëritur suksesin që arriti ndaj Anorthosis në turin e parë, pasi në atë ndeshje i mjaftoi vetëm një gol, ndërsa tani për të bërë një gjë të tillë do i nevojiten plotë 4 gola, që është ndoshta një mision i pamundur.