Sedat Berisha do të mbetet pjesë e Superligës shqiptare edhe në sezonin e ri futbollistik. Pavarësisht se me Vllazninë e tij edicionin e kaluar humbi statusin e skuadrës elitare, mbrojtësi shkupjan tashmë thuhet se është vetëm një hap larg firmës me shumë herë kampionët e Shqipërisë, të cilët këtë vit u rikthyen në elitën e futbollit shqiptarë, me shpresë se do të luajnë një rol të rëndësishëm.
Mirëpo për të arritur një gjë të tillë, doemos që skuadra të përforcohet me emra të spikatur, ndërsa një ndër ta pa dyshim se është edhe shkupjani, Berisha, i cili gjatë paraqitjeve me Vllazninë e Shkodrës demonstroi një kualitet të lartë, që kishte rënë në sy të drejtuesve të Tiranës.
Këta të fundit një kohë më të gjatë kanë shfaqur interesim për shërbimet e Berishës, mirëpo ishte dokumentacioni që mbante pezull transferimin e tij te Tirana. Siç informon “Vipsport”, tashmë shkupjani shumë shpejtë do të marrë dokumentet e duhura nga klubi shkodran dhe do të hedhë firmën në kontratën e re me klubin bardheblu.
Rikujtojmë vetëm ditë më parë Tirana angazhoi edhe Edon Hasanin, një tjetër ish i Vllaznisë, ndërsa gjithashtu kishte arritur të sjellë edhe afrikanët Kobinah dhe Atinga, Imamin si dhe sulmuesin e Vardarit, Dejan Bllazhevski.