Ndërpritet miqësorja Genç Kalemler – Tikvesh

Miqësorja e zhvilluar sot në qytetin e Gostivarit midis Genç Kalemler dhe Tikveshit nga Kavadari nuk priti fundin e saj. Trajneri i mysafirëve Lupço Dimitkovski i pakënaqur me ndarjen e drejtësisë, ende pa përfunduar pjesa e parë tërhoqi ekipin e tij nga fusha, me pretendim se arbitrat e këtij takimi nuk ishin në nivelin e duhur për të referuar këtë ndeshje, njofton “infOSport.mk”.

Ndryshe ndeshja nisi më mirë për ekipin e Birol Topçiut që avansoi që në start me golin e Burak Menga, ndërsa goli i dytë i shënuar nga Emir Aliu pak para fundit të pjesës së parë, ishte arsyeja kryesore që kjo ndeshje u ndërpre. Mysafirët nga Kavadari me ngulm kërkonin pozitë jashtë loje në shënimin e këtij goli, mirëpo i të njëjtit mendim nuk ishte edhe arbitri kryesor.

E gjithë kjo bëri që trajneri i Tikveshi, Lupço Dimitkovski të tërheq ekipin e tij, duke prishur atmosferën miqësore që mbizotëronte në stadiumin e qytetit të Gostivarit, ku kishte një numër të konsiderushëm tifozësh që kishin ardhur për të ndjekur këtë ndeshje, transmeton “infOSport.mk”.

Vendimi i Dimitkovskit pavarësisht nëse kishte, apo jo pozitë jashtë loje doli të jetë vërtetë shumë i ulët, duke pasur parasysh se bëhej fjalë vetëm për një miqësore, mirëpo si duket ashtu nuk mendonte edhe vetë ai, i cili duhet të mendohet mirë për në të ardhmen, pasi një gjest i tillë në ndeshje kampionale, mund ti kushtojë shumë atij personalisht, mirëpo edhe skuadrës së Tikveshit.

 

Leave a Reply