Shkëndija ka shënuar fitore minimale 1:0 në ndeshjen e parë të raundit të dytë eliminatorë të Ligës së Kampionëve Europian, pasi sonte në arenën “Filipi i Dytë” mundi Sherif Tiraspolin nga Moldavia, njofton “infOSport.mk”.
Shkëndija gjatë pjesës së parë ishte dukshëm kundërshtarë më i mirë, dhe dominimin në këtë pjesë e kurorëzoi me super golin e Besart Ibraimit të shënuar në minutën e 25-të nga gjuajtja e lirë.
Përveç Ibraimit te Shkëndija mund të festonte edhe braziliani Zhunior, i cili megjithatë doli të jetë i pafat në dy raste. Në tentativën e tij të parë intervenoi portieri Mikuliç, teksa në rastin e dytë shtylla nuk lejoi brazilianin për të shënuar edhe golin e dytë për Shkëndijën, të cilin do të mund ta kërkojë në ndeshjen e kthimit në Tiraspol pas një jave.
GOLI I BESART IBRAIMIT NDAJ SHERIF TIRASPOL
Goli i Besart Ibraimit ndaj Sherif Tiraspol
Публикувахте от infosport.mk в Вторник, 24 юли 2018 г.
Sa i përket pjesës së dytë, ajo nisi me një super aksion individual të Ibraimit, i cili bëri një slalom të vërtetë në mbrojtjen e mysfairëve, nderin e të cilëve në fund e shpëtoi portieri Mikuliç.
Mysafirët u kundërpërgjigjën në minutën e 48-të, mirëpo Kostadin Zahov ishte në nivel të detyrës, duke mos lejuar barazim të rezultatit.
Zhunior vazhdoi të kanoset në drejtim të portës kundërshtare, mirëpo edhe goditja e tij e minutës së 50-të ishte jo precize.
Kostadin Zahov ishte hero i Shkëndijës edhe në minutën e 60-të, kur shpëtoi një gol thuajse të sigurtë në portën e tij.
Besart Ibraimi, futbollisti më i mirë në fushë te Shkëndija në minutën e 79-të pasi me kvinte i iku njërit prej futbollistëve kundërshtarë, para zonës mjaft mirë shërbeu Shefit Shefitin, goditja e të cilit përfundoi vetëm jashtë kuadratit.
Në minutën e 86-të te Shkëndija u kanos edhe Izair Emini, mirëpo goditjen e tij të fuqishme nga distanca portieri mysafir e devijoi në rivënie nga këndi.
Nuk vonoi shumë dhe vetëm pas dy minutave në anën tjetër Paliç u kanos nga një distancë e largët, mirëpo duke mos arritur që të shënojë në rrjetën e Zahov, që në ato momente vetëm me shikim përcolli topin duke kaluar sjak shtyllës pingule.
Krejt në fund, në minutën e 89-të Besart Ibraimi u kanos edhe njëherë tjetër, kësaj rradhe me të majtën e tij, që përfundoi vetëm jashtë kuadratit, transmeton “infOSport.mk”.
Kësisoj kjo fitore minimale e Shkëndijës lë hapur gjithçka për takimin e kthimit në Tiraspol me 31 korrik, kur edhe do të vendoset udhëtuesi për në raundin e tretë eliminatorë të Ligës së Kampionëve.
Rikujtojmë fituesi nga kjo përballje në raundin e tretë do të përballët me gjigandët austriak të Salzburgut, që sezonin e kaluar luajtën në gjysmëfinale të Liga Europa.