Përforcimi i ri i Shkëndijës, Valmir Nafiu nuk fsheh kënaqësinë që pas shtatë viteve sërish bëhet pjesë e skuadrës kuqezi.
Sulmuesi 24 vjeçar pas firmosjes së kontratës që e lidh me kuqezinjtë deri verën e vitit 2020, në prononcimin e parë për kanalin e klubit me entuziazëm potencoi se ndjehet i lumtur që kthehet në skuadrën ku ka bërë hapat e parë si futbollist.
“E kam ditur gjithmonë se një ditë do të kthehem te klubi i zemrës Shkëndija. Është ndjenjë jashtëzakonisht e mirë, kështu që jam shumë i lumtur që jam këtu“, u shpreh Valmir Nafiu menjëherë pasi zyrtarizoi marrëveshjen dy vjeçare.
“Është interesat fakti se largimi im në vitin 2011 ishte kur Shkëndija doli kampione, ndërsa tani kthehem dhe sërish e njejta situatë, Shkëndija përsëri kampione por në nivele shumë më të larta“, tha Nafiu duke dhënë në fund një premtim për tifozerinë kuqezi e cila thotë se e motivon tej mase dhe se i ka munguar gjithë këtë periudhë.
“E kam ndjekur thuajse çdo ndeshje Shkëndijën dhe është kënaqësi të luash duke patur pas vetes tifozët e flaktë si që janë ‘Ballistët’ që mbështesin ekipin në çdo ndeshje. Tani që jam këtu premtoj se do të jap më të mirën nga vetja për të realizuar objektivat” – përfundon Nafiu.
Ai nga Shkëndija ishte larguar në vitin 2011-të, kur kishte bërë një super transferim te kampionët e Zvicrës, Bazeli, për të vazhduar më pas në Gjermani te Hamburgu, me të cilët regjistroi dy paraqitje zyrtare në Bundesligë.
APOEL Nikosia në Qipro ishte stacioni i rradhës, ndërsa pas një viti te Skënderbeu i Korçës ai kthehet në Maqedoni te Renova me të cilët sezonin e kaluar shënoi 7-të gola në 35 paraqitje