“Sky Italia” ka raportuar se drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Xhuzepe Marota, ka pasur një bisedë me drejtorin e ardhshëm sportiv të AC Milan, Leonardo, ku tema kryesore ka qenë sulmuesi argjentinas, Gonzalo Higuain.
Braziliani Leonardo do të prezantohet të hënën si drejtuesi i ri i Milanit, pasi ka arritur marrëveshjen me fondin “Elliott”, por duket se që tani ka nisur punën e re.
“Sky” ka njoftuar se Marota e ka telefonuar Leonardon për ta uruar për detyrën e re, por më pas subjekti i bisedës është fokusuar mbi të ardhmen e sulmuesit argjentinas.
Për momentin asgjë nuk është zyrtare, sepse Milani ka nevojë të shesë, e më pas të mendojë për blerjen e Higuain.
30-vjeçari Higuain, që ka bërë valixhet gati pas mbërritjes në Torino të Kristiano Ronaldos, kërkohet edhe nga Çelzi, ku do të gjente trajnerin Mauricio Sari, me të cilin ka qenë i suksesshëm te Napoli.