Sezoni i ri në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë është paraparë të startojë me datë 5 gusht. Ndërkohë kur kanë mbetur vetëm edhe më pak se dy javë, lindin problemet e para. Sipas asaj që shkruan gazeta “SPORT”, është ende e paqartë nëse Bellasica do të jetë pjesë e edicionit të 27-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, edhe pse skuadra nga Strumica vitin e kaluar në mënyrë bindëse u shpall kampion në Ligën e Dytë – Lindje. Arsyeja është se kjo skuadër nuk i plotëson kushtet për të qenë anëtare e elitës.
Një ndër kushtet që kërkohen nga FFM-ja është që klubet të jenë të regjistruara si Shoqëri Aksionare, ndërsa Bellasica nuk është e regjistruar si e tillë. Skuadra nga Strumica nuk është as shoqatë qytetare, por ende figuron si “Kompani me përgjegjësi të kufizuara” (DOO), që nuk është e mjaftueshme për të marrë pjesë në Ligën e Parë.
Për më tepër, ashtu siç shkruan gazeta “SPORT”, deri më tash asnjëri nga futbollistët e transferuar nga drejtuesit e Bellasicës nuk është regjistruar nga Komisioni përgjegjës pranë FFM-së, ashtu që drejtuesve të skuadrës nga Strumica u mbetet për të reaguar shumë shpejtë gjatë këtyre dy javëve jo të plota, me qëllim që ti evitojnë këto pengesa dhe të bëhen pjesë e skuadrave më të mira në futbollin vendor.
Bellasica për herë të fundit pjesë e elitës ishte në sezonin 2004/2005.