Arritja e Kristiano Ronaldos te Juventusi solli ndryshime sa u përket numrave të fanellave që mbajnë futbollistët e skuadrës “bardhezi”. Huan Kuadrado me vetëdëshirë numrin 7 ia dha yllit të ri të skuadrës, Kristiano Ronaldo, teksa për vete ka zgjedh numrin 16-të, të cilin e mbante edhe në sezonin 2015/2016.
Ky numër ishte në pronësi të Karlo Pinsolio, i cili zgjodhi numrin 22, që e mbante Kvadvo Asamoah, i cili u transferua te rradhët e skuadrës së Interit.
Ndryshime të numrave ndodhën edhe në mesin e portierëve të Juventusit. Kështu në sezonin e ri numrin 1, që deri më tani ishte në pronësi të legjendës Xhanluixhi Bufon, do ta mbajë Vojçeh Shçesni, ndërsa portieri i ardhur nga Xhenoa, Matia Perin do të mbajë numrin 19-të, që e mbante më herët Leonardo Bonuçi.