Pas përfundimit të aventurës evropiane, skuadra e FC Shkupit sot i është rikthyer punës me përgatitje për fillimin e kampionatit të Ligës së Parë të Maqedonisë, që planifikohet të fillojë me 5 gusht. Mirëpo para fillimit të sezonit të rregullt skuadra nga Çairi do të zhvillojë edhe dy ndeshje kontrolluese, përmes të cilave trajneri Zekirja Ramadani do të përfitojë edhe përfundimisht fotografinë e vërtetë rreth formacionit bazë, me të cilin do ti zhvillojë ndeshjet kampionale të edicionit të 27 në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë.
Ndeshjen e parë kontrolluese FC Shkupi do ta zhvillojë kundër skuadrës së Ballkanit nga Suhareka me datë 25 korrik, teksa në ndeshjen e dytë do të përballet me Ferronikelin, ish skuadrën e trajnerit aktual të FC Shkupit, Zekirja Ramadani.
Që të dyja ndeshjet do të startojnë në ora 17:00 dhe do të zhvillohen në stadiumin e Çairit. Pra një rast i mirë ky që tifozët “bardhekaltër” nga afër ti shohin heronjtë e tyre dhe ti përkrahin, duke ju dhënë më shumë motivacion për startin e ndeshjeve zyrtare që i presin në kampionat.